Plazhet publike dhe ato private do të ndahen nga njeri-tjetri nëpërmjet gardheve. Në një takim me operatorët turistikë, përfaqësues të hoteleve, restoranteve e bizneseve, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se kjo iniciativë nën përgjegjësinë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, do të ndërmerret për të zbukuruar pamjen e plazheve.
“Secili nga ju territorin e vet e ka të pastër, të zbukuruar, me gjelbërim, por çfarë ndodh më tutje? Nëse do të kemi një bashkëpunim dhe koordinim me njëri-tjetrin, edhe atje ku ka hapësira private të braktisura, është detyra jonë, për të pastruar, sistemuar e rregulluar gardhet. Fondi Shqiptar i Zhvillimit po përgatit një paketë gardhesh të bukura për të ndarë hapësirat private nga hapësirat publike dhe për të zbukuruar pamjen”, tha ministrja Kumbaro.
Nga Himara, Kumbaro tha se siguria në plazhe do të jetë në ndër prioritetet kryesore të këtij sezoni.
“Ju e quani të domosdoshme që të keni kamerier, e quani të domosdoshme që të keni kuzhinier. E keni të domosdoshme të keni pastruesin. Do ta quani po kaq të domosdoshme të keni dhe vrojtuesin e plazhit. Do të forcohen dhe kontrollet me qëllim që të dalim të gjithë faqebardhë nga një sfidë dhe më besoni ky vit, do të jetë prova e zjarrit për turizmin shqiptar.”
Ambicia e shprehur nga qeveria për këtë vit është pritja e 14 milionë vizitorëve në Shqipëri, nga mbi 10 mijë që ishin vitin e kaluar. (A2 Televizion)