Raportimi i Avokatit të Popullit: Në 2023 u thellua varfëria, në burgje ka mbipopullim e mungesë ushqimi

Nga Marjo Brakaj
21 Maj 2024, 18:27 | Ekonomi

Një në tre shqiptare jetoi në kushte të vështira ekonomike gjatë vitit të shkuar. Kjo sipas Avokatit  të Popullit për shkak të nivelit të ulët të ndihmës ekonomike, pagave dhe buxheteve të kufizuara të bashkive për mbrojtjen sociale.

“Kemi bërë raportin e fundit për minimumin jetik në vitin 2019. Të dhënat ndryshojnë vit pas viti. Nuk kemi pasur ndryshime të reja negative për të bërë një raport tjetër. Parlamenti duhet të miratojë formulën si do të llogaritet minimumi jetik. Në vitin 2019 ne kemi pasur një vlerë mesatare të minimumit jetik për qytetar 17.875 lekë, nëse kjo vlerë llogaritet vetëm me inflacionin e pranuar dhe të publikuar nga INSTAT do të shkonte në 21.039 lekë”, tha Erinda Ballanca, Avokate e Popullit.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca kërkoi rishikim të skemës së ndihmës ekonomike, për të ndihmuar më tepër në zbutjen e varfërisë.

“Ndihma ekonomike për 2 persona është 2178 lekë, më pak se 1/10 e nevojës së minimumit jetik, familjet me tre persona marrin 3268 lekë, me katër persona 4138 lekë. Fondi i ndihmës ekonomike nuk ka ndonjë diferencë kaq të madhe midis shifrës në total nëse do të kishim dyfishim të ndihmës. është gjynah që të mos realizohet kjo si një politikë sociale”, shtoi Ballanca.

Gjatë prezantimit të raportit të vitit të shkuar, Avokatja e Popullit ngriti shqetësimin edhe për mbipopullim të disa burgjeve në vend.

“Shqipëria ka numër të lartë të të paraburgosurve. Kemi numër tmerrësisht të lartë të paraburgimit. Këshilli i Europës thekson se personat që janë dënuar me burg përjetë nuk kanë shpresë që nëse sillen mirë, do të mund të dalin ndonjë ditë nga burgu. Çështjet e të drejtave të njeriut duhet të avancojnë në Shqipëri”, tha ajo.

Sipas Ballancës është shndërruar në kulturë në vendin tonë se nëse dikush akuzohet dhe nuk arrestohet me burg, gjyqësori shihet si korruptuar. Këtij mentaliteti po i përgjigjen dhe prokuroret, madje edhe gjykatat që nuk vënë në diskutim atë çfarë organi i akuzës sjell. Në anën tjetër ajo theksoi se ndikim shumë të fortë në mbajtjen e paraburgimeve të mbipopulluara është edhe moszbardhja për muaj të tërë e vendimeve të gjykatave.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani