70% e punimeve te hekurudha Tiranë-Durrës, Balluku: Dy projekte të tjera nisin së shpejti

Nga Marjo Brakaj
21 Maj 2024, 18:31 | Ekonomi

Nga pika e vdekjes në rizgjim.... hekurudha Tiranë-Durrës me degëzim në aeroportin “Nënë Tereza” është drejt përfundimit.

“Është një nga projektet më të rëndësishme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, një projekt i nisur prej kohësh me një vonesë të konsiderueshme për sa i përket pjesës së aprovimit të financimit. Megjithatë të gjitha këto janë kapërcyer dhe sot kemi një kantier me ecuri të kënaqshme. Kemi 70% e volumit të punëve të kryera, në ndërkohë që 90% e volumit të veprave të artit të përfunduar”, tha Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Drejtori i “Hekurudhës Shqiptare”, Ergys Verdho tregoi edhe më shumë detaje nga vepra infrastrukturore me vlerë 120.5 milionë euro, gjysmën e së cilit do ta financojë buxheti i shtetit.

“Janë 4 seksione të këtij projekti. Fillon nga Durrësi deri në Shkozet. Nga Shkozeti deri në Vorë. Vorë-Tiranë dhe pjesa e katërt nga Kashari në Rinas, duke lidhur aeroportin me Tiranën dhe Durrësin .Janë 9 ura, tetë prej të cilave tashmë kanë përfunduar. Nga stacioni i Tiranës deri në aeroportin “Nënë Tereza” parashikohet që koha e udhëtimit të jetë 12 minuta, me 3 stacione, ndërkohë që Tiranë-Durrës përllogaritet në 22 minuta, me 8 stacione”, tha Ergys Verdho, drejtor i “Hekurudha Shqiptare.

Nga kantieri i Tiranë-Durrës, ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku tregoi edhe mbi projektet e tjera hekurudhore të cilat pritet të marrin jetë së shpejti.

“Transporti hekurudhor ka fokusin e plotë të qeverisë, ka përparësi për sa i përket planeve tona strategjike dhe padyshim Tiranë-Durrësi do të shënojë projektin e parë i cili do të jetë edhe dallëndyshja e parë për rikthimin e këtij mjeti transporti. o të Kemi Durrës-Rrogozhinë  dhe më pas Rrogozhinë-Pogradec”, tha Balluku.

Aktualisht në vend gjatësia e rrjetit hekurudhor në shfrytëzim në vend është rreth224 km. Në funksion janë linjat hekurudhore, Durrës – Librazhd, Gjorm – Kufi dhe Durrës – Kashar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos