Çdo e mirë e ka një të keqe. E njëjta vlen edhe për turizmin. Pushuesit e huaj që vizitojnë Shqipërinë po lënë pas më shumë mbetje.
Almira Xhembulla, zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit, u shpreh për A2 CNN: “Flasim për një shumëfishim të popullsisë. Diçka shumë e mirë për të cilën ne jemi të gjithë shumë krenarë, por nga ana tjetër kjo është një sfidë për sistemin dhe na duhet të gjithëve të bashkëpunojmë.”
Në këto kushte, për periudhën 15 qershor e deri më 15 shtator bashkitë në vijën bregdetare do të marrin një fond shtesë nga qeveria me qëllim menaxhimin e mbetjeve.
Elvana Ramaj, Drejtoria e Ekonomisë Qarkulluese në MTM, deklaroi: “Janë shtatë të tilla. Bashkitë në vijën bregdetare do të marrin një fond të veçantë për menaxhimin e mbetjeve, veçanërisht në pikun e sezonit”.
Në alternativë po shihen edhe landfillet private, ku bizneset në fushën e turizmit dhe jo vetëm mund të depozitojnë mbetjet e lëna pas nga pushuesit shqiptarë dhe turistët e huaj.
Klevis Bregu, sipërmarrës në fushën e riciklimit të mbetjeve, thekson: “Mund të bëhen jo vetëm depozitime, por edhe riciklime. Mbetjet në fund rihyjnë në qarkullimin e ekonomisë”.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se para bumit të turistëve në vend gjeneroheshin mesatarisht 1,2 milionë tonë mbetje. Këtë vit, shifra pritet të arrijë deri në 2 milionë tonë mbetje. (A2 Televizion)