Ligj i ri për të penguar tregtimin e produkteve të falsifikuara

Nga Marjo Brakaj
10 Dhjetor 2023, 17:40 | Ekonomi

Nga lodrat te veshjet e këpucët, pa kursyer as flamurin kombëtar... Në dyqane apo tregjet e Tiranës mund të blesh lirshëm produkte false. Kryesisht të ardhura nga Kina, ato i gjen të ekspozuara ngado, në pritje të blerësve që joshen nga çmimet e lira.

Për të kufizuar qarkullimin e këtyre produkteve, me qëllim garantimin e konkurrencës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për markat tregtare”.

Albana Laknori, eksperte e pronësisë intelektuale, tha për A2 CNN: “Shtohen nocione të reja në ligj. Te pjesa e markave shtohen masa kufizuese. Duke qenë se problematika e mallrave të falsifikuara është goxha e zhvilluar, atëherë si ta kufizojmë atë duke bërë që institucionet të ndërveprojnë, me në krye ISHMT”.

Projektligji i ri synon të lehtësojë procedurën që duhet të ndjekë një biznes për regjistrimin e emrit si dhe sjell risi sa i takon markave ndërkombëtare duke qenë se tashmë jemi pjesë e një tregu të hapur global.

“Do të përfitojë vendi, bizneset, por edhe qytetarët. Vetëm se duhet të punojmë për zbatimin tij”, shtoi Laknori.

Baza e re ligjore, ndër të tjera është edhe kusht i Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian: “Në 33 kapitujt, kapitulli 7 i dedikohet pronësisë intelektuale. Ne do të përafrohemi me legjislacionin e Bashkimit Europian. Kështu që, ky ligj është për të mirë”.

Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Tregtisë, mallrat e kopjuara arrijnë të zënë rreth 25% të tregtisë në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos