Rritja e çmimeve mbizotëroi diskutimet për tryezën e festave të fundvitit në A2 Business me ekspertët e ekonomisë, ku theksi u vu te ndërgjegjësimi i uljes së konsumit dhe blerja e produkteve shqiptare.
Për sipërmarrësen Linda Shomo. Çmimet e këtij fundviti janë dyfishuar. “Kam shpenzuar më shumë se vitin e kaluar pasi janë rritur çmimet, por edhe numri i njerëzve për të cilët duam të bëjmë dhurata dhe që marrin dhurata”.
Po kështu edhe kryetarja e Shoqatës së Mikrofinancës, Arlinda Muja, theksoi se “me 1500 lekë vitin e kaluar mund të bëjë një dhuratë të denjë, këtë vit pa 3 mijë lekë nuk gjen. Çmimet janë dyfishuar. Nuk kam shpenzuar këtë vit aq sa më përpara se kam kuptuar që nuk na duhet aq shumë për të konsumuar”.
Eksperti Ardian Civici thekson se në krahasim me vendet e zhvilluara Shqipëria harxhon për ushqim me shumë se gjysmën e të ardhurave.
“Po të krahasohemi me vendet e zhvilluara buxheti i harxhuar për ushqim për një pjesë të msdhe të familjeve shqiptare shkon në 50-60%, ndërsa ne vendet e zhvilluara rrallë e kalon 15%. Në këto kushte e gjitha kjo përkthehet në tejkalim që i ke bërë vetes për buxhetin”.
Eksperti i ekonomisë Artan Gjergji e vë theksin te dyfishimi i çmimeve edhe te librat, ndërsa apelon ëpr të konsumuara shqip në tryezat tona.
“Çmimet janë rritur goxha këtë vit ndërkohë që të ardhurat nuk na janë rritur. Unë dhuroj libra dhe ata janë rritur me 50%. Për ata që bëjnë dhurata të shportës, ajo që më vjen keq është që ka shumë konsum të produkteve të huaja. Përpiquni të konsumoni shqip”.
Konsumimi shqip, por edhe në mënyrë të mençur në sasi e dhurata, ishte apeli i sekretarit të përgjithshëm të prodhuesve Arben Shkodra, sipas të cilit prodhimet shqiptare kanë kaluar kufijtë.
“Ne po piqemi si shoqëri sa i përket konsumit të ushqimit në duhet të konsumojmë në mënyrë të mençur edhe në sasi. Dhe e dyta në dhurata të cilat duhet t’i bëjmë në mënyrë të mençur nuk ka rëndësi vlera sesa domethënia e dhuratës. Ne kemi super prodhime shqiptare që kanë kapërcyer kufijtë e Shqipërisë me kohë, çokollata shqiptare sot shërbehet në aeroportin e Parisit, ka kaluar barrierat territoriale dhe të sigurisë. Kemi qenë viktima të një sulmi të brand-ve të huaja. Gjatë sezonit kur kemi vetë produkte lejojmë të kemi produkte të huaja. Është e rëndësishme të kemi program kombëtar të Made in Albania dhe është gjynah që tryeza të mos dominohet nga produktet shqiptare”.
Nga studio e A2 Business ai ndau lajmin e mirë se së shpejti do të paraqiten verërat me origjinë shqiptare, të prodhuara që nga koha ilire.
“Kemi një të re për këtë vit. ka një program shumë të mirë, një grupim i kantinave shqiptare do paraqesin verërat shqiptare me origjinë autoktone të rrushit shqiptar. Ne nuk e dinim këta çuna të brezit të dytë të industrive janë ulur dhe kanë gërmuar sesi ne që në kohën ilire kemi prodhuar verën. Cili është rrushi ose vreshtat që ka ngelur në kohë dhe i kanë zbuluar dhe tani do na paraqesin rrugëtimin e verës shqiptare”.
(A2 Televizion)