Nga 1 korriku rritja e pagave, Mete: Brenda 2024 synimi prej 900 euro në muaj, do rrisim dhe pensionet

Nga Marinela Lina
21 Mars 2024, 17:21 | Ekonomi

Rritja e pagave për sektorin e administratës do të fillojë që prej 1 korrikut 2024. Nga seanca plenare e së enjtes ministri i financave Ervin Mete bëri të ditur se në muajin prill fillon dhe detajimi për kategoritë përfituese.

“Buxheti 2024 do të vijojë mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Brenda muajit të ardhshëm pritet që të finalizohen VKM-të që do të detajojnë këto rritje të pagave, që fillojnë nga 1 korriku i vitit 2024. Ky buxhet, parashikon rritjen e mëtejshme të pagave për mjekët e përgjithshëm, infermierët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë, mësuesit në arsimin parauniversitar, forcat e rendit, të mbrojtjes, si edhe punonjësit e niveleve zbatuese në administratën qendrore. Gjithashtu, synojmë të mbështesim rritjen e pagave edhe për punonjësit e pushtetit vendor.”

Po ashtu në buxhetin 2024 do të realizohet indeksimi i mëtejshëm i pensioneve, si dhe shpërndarja e bonusit të fundvitit për 717 mijë pensionistë.

“Për indeksimin e pensioneve gjatë dy viteve të fundit, buxheti ka alokuar afro 30 miliardë lekë, shifër kjo e konsiderueshme, duke marrë parasysh efektin e përhershëm në vitet në vijim.”

Ndryshimet të përfshira në aktin normativ të buxhetit për vitin 2024 morën miratimin në Kuvend.

A2 CNN Livestream

Dita jonë