Nga jashtë dhe brenda vendi, në Shqipëri qarkulluan vitin e shkuar rreth 666 milionë euro të përftuara nga aktivitete të paligjshme.
Një raport i Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar tregon se kjo shumë është sa 3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pjesa më e madhe e këtyre parave, gati 480 milionë euro hynë nga vende si Britania e Madhe apo Dubai, ndërsa 186.5 milionë u gjeneruan nga aktiviteti kriminal në vend.
“Kur flasim për flukse financiare të paligjshme nënkuptojmë të gjithë atë pjesë të ekonomisë që nuk është e regjistruar, apo që nuk deklarohet. Kjo përfshinë paratë nga ekonomia kriminale, flasim për drogën, prostitucionin, bixhozin e paligjshëm etj. Nga ana tjetër kemi edhe flukset e brendshme të parave të filat prodhohen brenda vendit, kryesisht si pasojë e korrupsionit”, tha Klodian Muço, ekspert për Ekonominë.
Sipas raporti, për shkak të flukseve financiare të paligjshme, Shqipëria humbet mesatarisht çdo vit 904 milionë dollarë në tregtinë globale. Kjo shifër është sa rreth 6 për qind e gjithë Prodhimit të brendshëm Bruto vjetor të vendit.
“Kjo ka sjellë deformim të jetës sociale dhe ekonomike të vendit. Ka disa nga ata se fundja paraje e pisët i jep frymëmarrje ekonomisë, por kjo nuk është e vërtetë. Paraja e pisët është kancer për ekonominë dhe shkatërrim për qytetarët”, u shpreh Muço.
Flukset e paligjshme të parave vlerëson nga ekspertët si arsyeja kryesore e deformimeve në kursin e këmbimit.
“Vjet euro u zhvlerësua me mbi 15 për qind. Kjo do të justifikohej vetëm me zgjerim të tejskajshëm të eksporteve. Kjo nuk ndodhi ndaj shpjegimin e gjejmë te paraja e pisët”, shprehet eksperti.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit të shkuar, sasia e parave që qarkullon jashtë bankave në vend arriti në 393.6 miliardë lekë apo rreth 3.8 miliardë euro.
Sipas ekspertëve, sasia kaq e madhe e parave jashtë bankave lidhet pikërisht me flukset financiare të paligjshme që hyjnë nga jashtë apo prodhohen brenda vendit. (A2 Televizion)