Pas daljes nga “lista gri”, Shqipëria do të synojë jo vetëm të parandalojë, por edhe të zbulojë rastet e pastrimit të parave. Kjo detyrë i është ngarkuar Agjencisë së Inteligjencës Financiare, institucionit që zëvendëson Drejtorinë e përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave.
“Në fakt, vendimi për krijimin e një agjencie... ne në doktrinën juridike i themi “manipulim realiteti”. Kjo do të thotë se thjesht janë ndryshuar targat e një makine, por makina vijon të jetë njësoj. Me të njëjtat opsione funksionimi, madje - madje dhe e amortizuar”, tha Brikena Kasmi, ish-zëvendësministre e Drejtësisë.
Sipas vendimit të qeverisë, të publikuar tashmë edhe në Fletoren Zyrtare, rastet e zbuluara nga “Inteligjenca Financiare” do i referohen Prokurorisë së Posaçme Anti-korrupsion dhe Shërbimit Informativ të Shtetit. Gjithashtu do të shkëmbehen informacione edhe me partnerët ndërkombëtar në lidhje me transaksionet e dyshimta të pastrimit të parave por dhe financimit të terrorizmit.
“Fusha e veprimit është pothuajse e njëjta, thjesht janë përshtatur modalitetet. Elementin kryesor të pavarësisë së një institucioni ne e shikojmë në tre dimensione, buxhet, strukturë dhe varësi, Të tre këta tregues nuk kanë ndryshuar”, shtoi Kasmi.
Struktura e Agjencisë së Inteligjencës Financiare dhe organika e saj do të miratohen me urdhër të Kryeministrit. Punonjësit nuk do të kenë statusin e Nëpunësit civil dhe marrëdhëniet e tyre të punës do të rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.
“Tre elementët kryesorë të pastrimit të parave janë vendosja (placement), shtresëzimi dhe integrimi. Të tre këto elementë nuk kanë ndryshuar. Duhet që të mos ndryshojë emri i strukturës, por funksionimi i saj”, sqaroi ish-zv/ministrja e Drejtësisë.
Në fokus të Agjencisë së Inteligjencës Financiare do të jetë gjithashtu edhe forma e re e pastrimit të parave, ajo me anë të kriptomonedhave. (A2 Televizion)