Reformat për përmirësimin e klimës së biznesit, Ibrahimaj: Shërbimet do të kalojnë online, ulet koha e pritjes dhe korrupsioni

Nga A2 CNN
20 Qershor 2024, 15:55 | Ekonomi

Në një intervistë me gazetaren Aurora Sulçe, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj foli për disa nga reformat e nisura nga qeveria me synim përmirësimin e klimës së biznesit.

Ibrahimaj foli për reforma  e rregullimit, e cila siç shpjegoi ministrja, synon që t’i kursejë bizneseve kohë edhe para. Në fokus të kësaj reforme do të jetë lehtësimi i procedurave për biznesin.

“Pjesa më e madhe e shërbimeve jepen online. Edhe pse shërbimet kaluan online, disa shërbime kryheshin manualisht nga institucionet.”

Këto shërbime, tashmë sipas ministres do të ofrohen së shpejti online.

“Do të reduktohen, do të hiqen të gjitha dokumentet që lëshohen nga institucionet shtetërore dhe kërkohen nga një institucion tjetër. Do të merren përmes platformave të ndërmjetësimit të databazave të institucioneve. Ose të mbushen paraprakisht nga sistemet, duke qenë se pjesa më e madhe e tyre janë online,” shpjegon Ibrahimaj.

Ndërhyrje duket se do të ketë në një numër të madh dokumentesh dhe VKM-shë, të cilat pritet të shkurtojnë me 30% afatin kohor të shërbimit.

“Kemi analizuar rrugën që bën shërbimi, nga aplikimi deri te marrja. Aty, po synojmë të ulim afatet që të japim një shërbim sa më cilësor për biznesin. Ky shërbim do të lehtësojë kostot e buxhetit pasi koha është para. Koha e kursyer kthehet në para.”

Ministrja Ibrahimaj tha se këto ndërhyrje në sistem janë bërë pas konsultimeve me vetë bizneset.

Ministrja shpreson se me kalimin e më shumë shërbimeve online, do të reduktohen edhe mundësitë për korrupsion pasi kontaktet e bizneseve me administratën do të reduktohen.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli 2024