Shqipëria shiti një dhe bleu tre produkte ushqimore në harkun e muajve janar-tetor. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në 10 muaj, kompanitë shqiptare eksportuan më pak se 326 mijë tonë fruta, perime dhe produkte të tjera për konsum. Në të njëjtën periudhë kohore u importuan më shumë se 919 mijë tonë ushqime.
“Produktet tona nuk janë konkurruese. Përveç se prodhojmë pak, produktet tona janë të shtrenjta. Ata as nuk grumbullohen nga kompanitë. Iu bie më lirë t’i sjellin nga jashtë.”
Ndoc Faslia - Pedagog në Universitetin Bujqësor
Raport i ngjashëm, sigurisht në favor të ndjeshëm të importeve paraqitet edhe vlerë.
Në harkun e muajve janar-tetor u importuan mallra konsumi me vlerë 1.2 miliardë euro, ndërsa eksportet nuk i kaluan 448 milionë euro.
Importet u zgjeruan veçanërisht te mishi dhe nënproduktet e tij.
“Dy janë arsyet. Braktisja e fshatit dhe rrjedhimisht rënia e blegtorisë, dhe kostot e lëndëve të para të nevojshme për prodhim.”
Për ekspertë të sektorin, që të paktën në vend cilësohet si “parësor”, deficiti në tregtinë e jashtme të mallrave mund të thellohet edhe më tej nëse projektbuxhet dhe paketa fiskale e vitit të ardhshëm nuk pësojnë ndryshime.
“Të paktën nga parashikimet e deritanishme, si buxheti, ashtu edhe paketa fiskale nuk ofrojnë asgjë për të inkurajuar prodhimin vendas. Na duhen skema mbështetëse. 30 për qind e buxhetit duhet të shkonte vetëm për subvencione.”
Me gjithë varësinë nga importi që vijon të thellohet, bujqësia vitin e ardhshëm parashikohet të marrë më pak para’.
Nga 15.6 miliardë lekë këtë vit, fondet për sektorin me të cilin punon dhe jeton gjysma e popullsisë përllogariten në më pak se 14.2 miliardë lekë apo rreth 134 milionë euro. (A2 Televizion)