Task forca për ujërat larës, Balluku: 90 ditë kohë bizneseve, të vendosin impiante përpunimi

Nga Marinela Lina
6 Shkurt 2024, 18:14 | Ekonomi

Të gjithë bizneset që aktivitetin e tyre ekonomik e shtrijnë pranë zonave bregdetare, liqeneve apo dhe lumenjve, duhet të vendosin impiante përpunimi para se të shkarkojnë ujërat e ndotur.

Ky vendim vjen disa muaj para fillimit të sezonit turistik dhe u komunikua për bashkitë dhe operatorët turistikë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ajo e Turizmit dhe Mjedisit.

Belinda Balluku deklaroi se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj subjekteve që nuk zbatojnë këtë detyrim: “Të gjitha subjektet që preken nga ky akt normativ kanë kohë 90 ditë duke nisur nga sot, për të vendosur impiantet e përpunimit të ujrave të ndotura”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kërkoi nga bashkitë që të njoftojnë të gjithë operatorët mbi detyrimet e reja, për të patur në vijim një sezon turistik me ujëra të pastra në brigjet tona.

Detyrimi për instalimin e impianteve të trajtimit dhe largimit të ujërave të ndotur përfshin të gjitha llojet e subjekteve, duke nisur nga strukturat akomoduese, agroturizmat, bujtinat, hotelet, komplekset turistike, baret, restorantet, etj. Për kontrollin e menaxhimit të ujërave të ndotura do të ngrihet një task forcë e dedikuar nën varësinë e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve.

Sipas të dhënave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në total pranë atyre që quhen ujëralarës janë 9000 subjekte. Task-Forca e ngritur do të ketë përgjegjësinë edhe të vendosjes së masave administrative, në rast të konstatimit të shkeljeve. Vlera e gjobave do të variojë nga 1,5 milionë lekë, në 2,65 milionë lekë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos