23 protestues të shoqëruar, 9 policë të lënduar, protesta para Parlamentit përfundon në përplasje të dhunshme

Nga Igli Çelmeta
2 Korrik 2026, 16:53 | Kronikë

Protesta para Parlamentit u shoqërua me përplasje të shumta dhe të ashpra mes policisë dhe protestuesve, duke sjellë shoqërime, si dhe të lënduar mes efektivëve të policisë dhe qytetarëve që protestuan.

Edhe pse incidentet nisën kur deputetët e mazhorancës hynë fillimisht në Parlament, ku u qëlluan me vezë nga protestuesit, përplasjet më të ashpra ndodhën pasi përfundoi seanca plenare dhe deputetët po largoheshin nga godina.

Strategjia e Policisë ndryshoi kur, në hyrjen kryesore të Parlamentit, protestuesit nisën të qëllonin me vezë dhe shishe uji automjetin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Në atë moment nisi shpërndarja e turmës me gaz lotsjellës, sprej me piper dhe autobot me ujë, në përpjekje për të vënë situatën nën kontroll.

Protestuesit iu kundërpërgjigjën duke qëlluar efektivët me sende të forta dhe gurë. Madje, nuk shpëtoi as një automjet policie, xhamat e të cilit u thyen gjatë përplasjeve.

Ndërkohë, pas incidenteve të dhunshme, policia nisi shoqërimin në flagrancë të protestuesve. Në total u shoqëruan 23 persona, ndërsa pati edhe protestues të lënduar.

Autoritetet njoftuan se 9 efektivë policie u lënduan gjatë protestës dhe u transportuan në Spitalin e Traumës. Situata u normalizua vetëm pas ndërhyrjes së forcave të policisë dhe largimit të pjesës më të madhe të protestuesve nga zona përreth Parlamentit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos