Akuzohen për korrupsion, GJKKO dënon me nga dy vite burg Kristi Zykën dhe Florian Dishën

Nga A2 CNN
23 Janar 2025, 16:49 | Kronikë

Akuzohen për korrupsion, GJKKO dënon me nga dy vite burg Kristi

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtorë duke dënuar me nga 3 vite burgim, dy persona të pandehur për akuzën e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.

Kristi Zyka dhe Florian Disha u dënuan me nga tre vite burg, por u ul me një të tretën dhe përfundimisht do të vuajnë nga 2 vite burg. Sipas vendimit ata do të vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme.

Po kështu Zykës dhe Dishës i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë kohore prej 5 vitesh.

Gjykata ka vendosur gjithashtu që shpenzimet procedurale të mbulohen nga të pandehurit. Ky vendim mund të apelohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Njoftimi i GJKKO 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të ҫështjes penale, që i përket procedimit penal nr. 8, të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve Kristi Zyka dhe Florian Disha, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal”.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca, me vendimin Nr. 7, datë 23.01.2025 vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Kristi Nefail Zyka për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer ne bashkëpunim, parashikuar nga neni 259 pg 2 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.

Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale të pandehurit Kristi Nefail Zyka i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vite burgim.

Llogaritja e dënimit fillon nga data e ekzekutimit të vendimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Kristi Nefail Zyka do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme, në referim të parashikimeve të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

Bazuar në nenin 35 të Kodit Penal, të pandehurit Kristi Nefail Zyka i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë kohore prej 5 (pesë) vitesh.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Florian Eshref Disha për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer ne bashkëpunim, parashikuar nga neni 259 pg 2 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.

Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale të pandehurit Florian Eshref Disha i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vite burgim.

Llogaritja e dënimit fillon nga data e ekzekutimit të vendimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Florian Eshref Disha do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme, në referim të parashikimeve të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

Bazuar në nenin 35 të Kodit Penal, të pandehurit Florian Eshref Disha i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë kohore prej 5 (pesë) vitesh.

Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurve solidarisht.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos