Policia e Shtetit ka arrestuar në Durrës një 41-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia për trafikim të lëndëve narkotike. Sipas Policisë, gjykata e Breshias në Itali ka lëshuar më 29 shtator urdhër arresti ndërkombëtar për 41-vjeçarin, i cili pritet të ekstradohet drejt Italisë.
“Gjykata e Brescias /Itali më datë 29.09.2024 ka lëshuar vendim "urdhër arresti ndërkombëtar" si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale”, thuhet në njoftim.
Operacioni u krye nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.
“Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera me partnerët në Itali, në vijim të operacionit antidrogë, të koduar “Tornado” mbi vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 18”, kapi në Durrës dhe vuri në pranga shtetasin E.L., 41 vjeç, banues në Manzë, Durrës”, njofton Policia.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Itali. (A2 Televizion)