Arrestohet nipi i ish-deputetit, Ariel Rraja dhunoi familjen Caca. Hetohet në liri i ati, Flamur Rraja

Nga Xhensila Kodra
23 Janar 2025, 10:58 | Kronikë

Policia arreston Ariel Rrajën, nipin e ish-deputetit socialist Rrahman Rraja. Për të Gjykata e Tiranës kishte caktuar në mungesë masën e sigurisë arrest në burg, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” pas disa muajsh në kërkim.

24-vjeçari ishte protagonist i një sherri të ndodhur në tetor të vitit 2024, në Nikël të Fushë-Krujës, shkruan A2 CNN. Konflikti nisi mes babait të Arielit, Flamur Rrajës dhe Kujtim Cacës për një kanal që ndante banesat e tyre.

Për këtë ngjarje më herët u arrestua edhe Flamur Rraja, por më pas u la i lirë pasi prokurori i çështjes vendosi procedimin e tij në gjendje të lirë për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Përveç arrestimit të 24 vjeçarit, policia nisi procedim në gjendje të lirë edhe për babanë e tij Flamur Rrajën si dhe një 26 vjeçar, pasi kundërshtuan efektivët teksa po shoqëronin për në komisariat Ariel Rrajën.

Ky nuk është incidenti i parë që pjesëtarë të familjes Rraja përfshihen në sherr. Verën e vitit 2023, Flamur Rraja u përfshi në dhunën barbare që i bënë dy kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja, për guroren në Fushë-Krujë.

Në atë kohë, në videot e bëra publike, ai shfaqej teksa qëllonte me grushte Bilbil Majën të shtrirë në tokë dhe me dorën tjetër mbante një pistoletë. Kjo çështje më pas u klasifikua nga prokuroria nga plagosje e rëndë me dashje, në plagosje e lehtë me dashje, duke zbutur ndjeshëm akuzën edhe pse pamjet ishin dramatike, duke u justifikuar me dokumentin e ekspertizës mjeko-ligjore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos