Bllokohen 110 litra verë e padeklaruar në Portin e Durrësit

Nga A2 CNN
13 Korrik 2026, 12:34 | Kronikë

Bllokohen 110 litra verë e padeklaruar në Portin e Durrësit

Administrata Doganore e Portit të Durrësit ka bllokuar rreth 110 litra verë të paketuar në ambalazh tetra-pack, të konstatuara gjatë kontrollit të një autobusi në Port.

Mjeti u përzgjodh për kontroll pas sinjalizimit nga strukturat e monitorimit dhe iu nënshtrua fillimisht skanimit. Më pas, gjatë kontrollit të përbashkët të kryer nga strukturat e Antikontrabandës dhe Dega Doganore Durrës, në vijën e dytë të kontrollit, u evidentua sasia e padeklaruar e verës.

Në zbatim të legjislacionit doganor në fuqi, ndaj drejtuesit të mjetit u vendos masë administrative me gjobë në vlerën e trefishit të detyrimit doganor. Malli është sekuestruar dhe magazinuar, ndërsa mjeti mbahet në pritje të përllogaritjes së detyrimeve përkatëse dhe përfundimit të procedurave administrative.

Administrata Doganore mbetet e angazhuar në forcimin e kontrolleve dhe luftën kundër kontrabandës, me synim mbrojtjen e interesave financiare të shtetit dhe garantimin e zbatimit të legjislacionit doganor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos