Dosja “Veliaj”, dëshmon ish-financiarja e disa shoqërive dhe ish-polici i Burgjeve

Nga Armand Bajrami
13 Korrik 2026, 11:20 | Kronikë

Dosja “Veliaj”, dëshmon ish-financiarja e disa shoqërive

Në fjalën e saj të mbrojtjes në Gjykatën e Posaçme, Adela Kondakçiu, ish-financierja e disa shoqërive dhe organizatave jofitimprurëse në dosjen “Veliaj”, kërkoi të merrej në konsideratë fakti se qëllimi i saj nuk ka qenë përfitimi.

Përmes avokatit, Kondakçiu, që ka edhe statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë, tha se ka pranuar të marrë pjesë në aktivitetin kriminal, por e shtyrë dhe e ndikuar nga urdhrat e Xoxës. “Jo vetëm që nuk ka përfituar, por është vënë në dispozicion të drejtësisë dhe ka patur kosto për transparencën e saj. Ka ndihmuar në zbardhjen e së vërtetës për organet e drejtësisë”, tha avokati.

Më tej, ish-polici i burgjeve, Fatjon Baçi, i cili i ka mundësuar Erion Veliajt përdorimin e një telefoni celular gjatë transportimit me furgonin e burgut, kërkoi një dënim më të butë nga Gjykata e Posaçme.

“I mbrojturi prej meje ka bërë një gabim njerëzor përballë një njeriu si Erion Veliaj që gëzonte pushtetin që gëzonte. Veliaj ka biseduar me vëllain dhe gruan e tij dhe nuk ka bërë asnjë bisedë kriminale, përndryshe nuk do t’ia jepte celularin. Kërkoj që Gjykata të më japë një dënim më të lehtë duke marrë në konsideratë se nuk kam patur qëllim kriminal dhe duke marrë parasysh rrethanat familjare që jam i vetmi njeri i punësuar në shtëpinë time”, tha avokati i Baçit.

Më pas, dy mbrojtës kërkuan që të shtyhej seanca gjyqësore për të plotësuar konkluzionet përfundimtare. Prokurorët e konsideruan kërkesën të padrejtë, ndërsa gjykata vendosi shtyrjen e seancës për datën 23 korrik, duke pezulluar afatet e paraburgimit për të pandehurit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos