Pas historive me shantazhe të miturish në rrjete sociale si Tik Tok, apo dhe rasteve akoma më të rënda si vetëvrasjet, histori të tjera qarkullojnë në rrjet aq sa askush nuk merr masa.
Fëmijët në Siri dhe tentativat e shtetit për t’i riatdhesuar ishin një ndër lajmet kryesore në vitin 2020, kur një pjesë e tyre u rikthyen në Shqipëri. Videot e A2 CNN, por edhe të gazetarëve të tjerë që mundën të bënin diçka duke ndërgjegjësuar opinionin publik dhe institucionet, qoftë dhe duke i ekspozuar me fytyrë fëmijët, u bënë për interesin më të lartë të tyre në atë kohë, atë të identifikimit. Por sot pas 4 vitesh po keqpërdoren nga portale apo dhe rrjete si Tik Tok. Pavarësisht qëllimit të videos vite më parë, sot abuzimi vijon me tituj të tillë.
Por edhe pse është thënë se do bëhet diçka lidhur me ndalimin e përhapjes së dhunës nga rrjetet sociale apo dhe bullizmin kibernetik sërish situata bëhet akoma më e rëndë kur komentet janë të tilla.
Për këtë ministri Taulant Balla priti në ministrinë e Brendshme drejtorin për Politikat Publike dhe Marrëdhëniet me Qeverinë për Evropën Qendrore dhe Lindore, Jakub Olek. Gjatë takimit ministri i shprehu Olek shqetësimet mbi ngjarjet e fundit dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, dezinformimit, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online. Gjithashtu gjatë takimit Balla kërkoi edhe informacion të detajuar mbi ruajtjen dhe përdorimin e të dhënave personale të përdoruesve.
Ashtu siç e ka paralajmëruar ministri, po shikohet mundësia për ndryshime ligjore kundër dhunës online. Nëse nisma do të realizohet, më shumë se sa ndryshimet e mundshme ligjore, deri sa ato të marrin formë, seksioni i krimit kibernetik në Policinë e Shtetit ka në dorë të mos kufizojë veprimtarinë vetëm në identifikimin e klonimit të kartave bankare.
Ashtu si në botë edhe në Shqipëri është shëndërruar në urgjencë verifikimi i rrjeteve sociale, veçanërisht Tik-Tok, në mënyrë që të parandalohen drama që shkaktojnë nga problemet e shëndetit mendor deri tek viktimat.
(A2 Televizion)