Në dosjen hetimore të SPAK, të siguruar nga A2CNN,rezulton se pas ngjarjes ku u plagosën dy punonjës policie dhe një banor i zonës, një të pandehurve i ka rrëfyer një personi tjetër përmes mesazheve audio në whatssapp se ç’ndodhi në kufirin Shqipëri-Kosovë. I dyshuari Mohamed Shehab, i akuzuar si drejtuesi i një prej dy grupeve kriminale të përbërë nga sirianë e algjerianë poston përgjegjësinë te grupi tjetër.
Shehab: “U takuam me Sulltanin. Kishim qëndruar atje. Sulltani kishte nja 7-9 vetë. Rrinim ulur dhe kaloi dikush dhe u largua. Ne nuk kemi qëlluar. Nuk kishim armë. Ata kanë qëlluar në drejtim të policisë, Sulltani dhe grupi i tij. Sulltani nxori pistoletën dhe filloi të qëllojë. Kanë ngatërruar dynjanë në një punë ku ne nuk kemi gisht. Ne nuk kishin asnjë me vete. Ne nuk jemi njerëz të sulltani”.
Sardah: Ku është? Ju jeni takuar me Sulltanin në mes të ditës. Unë ju kam paralajmëruar me kohë. Ku kam thënë. E di unë kur duhet të dilni dhe kur duhet të ikni”.
Në vijim të bisedës, i pandehuri Shehab, i tregon bashkëbiseduesit, se ishte larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke shfrytëzuar malin, se kishte humbur kontaktin me anëtarët e grupit, por se armën që kishte pasur me vete e kishte groposur.
Sardah: Rëndësi ka që ai sendi është i groposur dhe ju jeni shëndoshë e mirë. Shmanguni problemeve dhe largohuni.
Shehab: Për Zotin, asnjëri nuk e ka pjesën. Nuk jemi fëmijë që të ecim këtë paradite me të. E kam groposur vetë.
SPAK ka administruar edhe një komunikim me sms mes të pandehurit Muhamet Radaën dhe të pandehurit Ayob Bahu, ku diskutojnë me sms apo mesazhe zanore, ku kuptohet që të dy njihen prej kohësh dhe diskutojnë për të blerë disa armë, Ak47, snipek dhe fishekë dhe të bëjnë kujdes se është policia vërdallë. Dy grupet kriminale, të cilësuar si të rrezikshëm, akuzohen nga SPAK për tentativën e vrasjes së tre punonjësve të policisë dhe të një banori të zonës, për kalim të paligjshëm të kufirit, për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm dhe grup të strukturuar kriminal. (A2 Televizion)