Plumba policisë në kufirin Shqipëri-Kosovë, zbardhet dosja e trafikantëve sirianë e algjerianë

Nga Armand Bajrami
17 Shkurt 2024, 14:18 | Kronikë

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimin ndaj disa shtetasve siriane e algjerianë, anëtarë të dy grupeve kriminale të trafikut të emigrantëve, që në maj të vitit të kaluar qëlluan me armë zjarri drejt policisë në kufirin Kosovë-Shqipëri.

Dy grupet kriminale, të cilësuar si të rrezikshëm nga SPAK, jo veç për shkallën e lartë të organizimit, por për mbajtjen e përdorimin e armëve të zjarrit, akuzohen nga SPAK për tentativën e vrasjes së tre punonjësve të policisë dhe të një banori të zonës, për kalim të paligjshëm të kufirit, për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm dhe grup të strukturuar kriminal. 

Dy grupet që operonin në territorin shqiptar ishin hallka të një grupi të madh kriminal që që organizonte dhe drejtonte një rrjet të trafikut ndërkombëtar të emigrantëve nga vendet e treta, në Greqi, Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, me destinacion final shtetet e Bashkimit Europian.

Referuar dosjes së SPAK, të siguruar nga A2 CNN, si drejtues në nivele të larta dalin personat e quajtur Nasim, personi që shpërndante paratë, Luca, personi që merrej me transportimin, sigurimin e ushqimit për grupet kriminale dhe Muniri, personi që gjente emigrantët e organizonte udhëtimin.

Brenda territorit shqiptar grupi i parë drejtohej nga Sultan Grimash dhe anëtarë kishte Sultan Grimash, Muhamet Radaën, Ayoub Bahhoo e Rabii Lqadi. Ndërsa grupi i dytë drejtohej nga Muhamed Shehab dhe kishte në përbërje Muhamet Shehab, Muhammed Nasir dhe Nagih Alabdalah.

Identifikimi i roleve të të pandehurve në grupin kriminal është zbardhur nga SPAK pas zbërthimit të komunimimeve elektronike mes tyre, kryesisht në aplikacionin ëhatsapp. Në biseda me njëri-tjetrin, ata jo vetëm janë koordinuar për aktivitetitn kriminal, por edhe kanë shkëmbyer foto të emigrantëve të jashtëligjshëm, apo të vetes së tyre me armë në duar.

Për episodin 25 majit 2023, ku u hap zjarr ndaj policisë së Kukësit, dy grupet janë takuar me njëri-tjetrin në kufirin e gjelbër Kosovë-Shqipëri. Në të njëjtën zonë është gjendur një çoban me bagëtitë e tij, të cilin e kanë përzënë duke i drejtuar armët. Sinjalizimi i çobanit angazhoi Policinë e Kukësit, që hartoi një plan operacional dhe nisi një grup efektivësh në vendin e treguar. Të ndihmuar edhe nga efektivë të Policisë Kufitare dhe një njohës i zonës u afruan tek vendi, ku kanë konstatuar nga distanca një grup prej 7-8 personash të ulur. Sipas dëshmisë së efektivit, Jurgen Qenanaj, ai i ka folur në gjuhem angleze “Ndal policia, mos lëvizni”.

“Ata janë ngritur në këmbë shumë qetësisht dhe tre prej tyre kanë gjuajtur pa asnjë motiv në drejtim të punonjësve të policisë. Në këtë kohë punonjësit e policisë i janë përgjigjur me zjarr, por duke qëlluar në ajër”, ka dëshmuar Qenanaj. Në ngjarje morën plagë pa rrezik për jetën 2 punonjës policie dhe një banor i zonës.

Pas arrestimit të gjashtë prej personave, efektivët e policisë mundën të identifikonin tre prej trafikantëve si personat që hapën zjarr. Nga hetimi i SPAK rezultoi se 4 prej të pandehurve ishin kapur disa herë me emigrantë të tjerë në territorin shqiptar, por janë hequr si pjesë e tyre, duke mos u bërë i mundur identifikimi i tyre si organizues e sigurues të transportit. 

Përveç trafikut të emigrantëve, SPAK po zhvillon hetime edhe për përfshirje të dy grupeve kriminale në trafikun e armëve dhe të drogës.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli