Drogë me flamur shqiptar në Ekuador, goditen asetet e Dritan Gjikës

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2024, 15:41 | Kronikë

Një rrjet i trafikut të drogës nga Ekuadori drejt vendeve të BE-së është goditur nga policia spanjolle në koordinim me Europol, ku mori pjesë edhe policia e shqiptare si dhe SPAK, ndërsa kreu i bandës kriminale është një shqiptar.

Bëhet me dije se bëhet fjalë për Dritan Gjikën, i cili drejtonte trafikun e drogës nga Kolumbia në Ekuador e më pas drejt vendeve të BE-së. Gjika është ende në arrati, ndërsa policia thotë se ka dyshime se ndodhet në Dubai.

Në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar "La Pampa", u arrestuan 31 persona, në Spanjë dhe Ekuador, sekuestruan 25 makina, 10 armë zjarri, pajisje elektronike me vlerë rreth 13 milionë euro dhe afro 3 milionë kesh në valuta të ndryshme dhe pasuri të sekuestruara me një vlerë totale prej rreth 48 milionë euro.

Europol bëri me dije se hetimi nisi për një biznesmen italian me orgjinë nga Argjentina me banim në Marbella të Spanjës. Nga hetimet rezultoi se trafiku i kokainës nga Kolumbia në Ekuador dhe më pas në BE drejtohej nga shqiptari, i cili ishte lidhur me biznesmenin italian.

Sipas Europol, drejtuesi i rrjetit kriminal, luajti rol kryesor në pastrimin e aseteve kriminale, duke investuar në biznese të ligjshme në Spanjë. Ai menaxhoi disa kompani të fokusuara në prodhimin dhe importimin e bananeve nga Ekuador në BE, si dhe biznese të tjera si qendra tregtare, bare e restorante. Gjatë hetimit autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri, Belgjikë, Ekuador, Holandë dhe Turqi sekuestruan disa ngarkesa të konsiderueshme kokaine në total 3.2 ton.

Ndërkohë në Ekuador policia vendase në Guyaquil sekuestroi 122 pako kokaine. Në pranga ra një 37-vjeçar ekuadorian, pasi transportonte drogën me një kamion. Sipas mediave Ekuadoriane, disa pako ishin të mbështjella me flamurin shqiptar çka nënkupton se ishin porosi për grupe kriminale shqiptare.

Sipas autoriteteve ligjzbatuese në Amerikën Latine kur drejtuesi i mjetit pa policinë që e ndiqte u përplas me një fabrikë bananesh në sektorin Santa Lucía dhe shoferi iku mes plantacioneve. Gjatë kontrollit të automjetit, u gjetën pakot e kokainës dhe gjatë kontrollit në zonë ata arritën të kapnin 37-vjeçarin, i cili kishte me vete rreth 2 mijë dollarë. Koloneli i antidrogës në Guayqauil tha se sasia e sekuestruar e kokainës nëse do të dërgohej në Evropë, kap vlerën e mbi 7 milionë dollarëve.

A2 CNN Livestream

Dita jonë