Një 27-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Korçës dhe një tjetër është në kërkim për kontrabandë makinash. Sipas policisë, këta persona në afërsi të fshatit Çiflig tregtonin dhe çmontonin në pjesë në serviset e tyre, automjete të cilat dyshohet se janë kontrabanduar në Shqipëri nga Anglia.
Gjatë kontrollit në servisin e 27-vjeçarit me iniciale Sh. G., policia gjeti 30 automjete, pa dokumentacionin përkatës, të pashoqëruar me faturat blerëse. Po kështu edhe në servisin e 50-vjeçarit A. S., i cili rezultoi i paregjistruar në organet përkatëse, u gjetën 6 automjete të tjera, pa dokumentacionin përkatës, të pashoqëruar me faturat blerëse.
Në cilësinë e provës materiale për këto dy raste u sekuestruan 36 automjete, me pjesë të çmontuara, të cilat dyshohet se janë kontrabanduar nga Anglia në Shqipëri.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari të kundërligjshme.
(A2 Televizion)