Një 58-vjeçar nga Rrësheni është gjetur i vdekur në rrugën e Kapshticës. Nga këqyrja paraprake e trupit të viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune, shkruan A2 CNN.
Dyshohet se 58-vjeçari ka humbur jetën nga i ftohti ose ndonjë arrest kardiak. 58-vjeçari Edmond Ceka është gjetur i vdekur në afërsi të ish-doganës se vjetër të Kapshticës në shtegun e njohur si "Shtegu i Refugjatëve" dhe dyshimet janë se mund të ketë tentuar për të kaluar i vetëm në këmbë kufirin e gjelbër drejt Greqisë për të gjetur punë sezonale në vendin fqinj.
58-vjeçari kishte katër ditë që lëvizte në qytetin e Bilishtit dhe fshatrat përreth në kërkim të një pune, qoftë dhe bari. Në kushte kur e ka pasur të pa mundur gjetjen e një pune, 58-vjeçari në këmbë ka marrë rrugën e njohur si "shtegun i refugjateve" për të kaluar në anën tjetër të kufirit për në shtetin helen.
Ajo çfarë mësohet është se në trupin e 58-vjeçarit nuk janë konstatuar shenja dhune. Mjekësia ligjore do të përcaktojnë shkakun e vdekjes së tij. (A2 Televizion)