Fieri u shokua të dielën e 5 janarit. G. H, vetëm 40 vjeçar, babai i një djali 10 vjeçar, u masakrua me armë zjarri në sy të djalit, nga i dashuri i ish bashkëshortes.
Prej të dielës, shtetasi me iniciale G.H po lufton me jetën në spital, ndërsa drama e familjes ka prekur rëndë edhe djalin e tij, i cili është në gjendje të rënduar emocionale.
G.H prej disa muajsh kishte nisur procesin e divorcit me bashkëshorten e tij Melisa Beluli, 29-vjeçare, e cila në këtë periudhë kishte nisur bashkëjetesën me Klement Beqaj, 25-vjeçar. Djali i tyre 10-vjeçar jetonte me nënën dhe të dashurin e saj, ndërsa në fundjavë qëndronte me babanë. Në ditën e ngjarjes djali ishte me babanë G.H, ndërkohë gjatë ditës ka telefonuar disa herë mamanë për ta marrë.
Përgjatë telefonatave mamaja i ka thënë djalit se nuk është në Fier, moment ky kur djali ka debatuar me nënën e tij, shkruan A2 CNN.
Djali 10 vjeçar i thotë: ti gjithmonë kështu më thua, s’jam në Fier, s’jam këtu, e s’jam atje… si fëmijë. Në këtë moment ka ndërhyrë bashkëjetuesi i saj duke sharë me fjalë të rënda djalin me fjalinë: “Here rri aty ti, mos na çaj ….”
Këtë gjuhë ordinere komunikimi e ka dëgjuar dhe babai i djalit dhe ka marrë në telefon, nga celulari i djalit, ish-bashkëshorten me të cilën ka debatuar shkurt me të, pasi ajo i ka mbyllur telefonin.
Pak më vonë ish-bashkëshortja me të dashurin e saj kanë mbërritur në lokalin ku ishte G.H. Në momentin e takimit babai G.H i ka kërkuar shpjegim 25-vjeçarit, autor i plagosjes, arsyet e këtij komunikimi me djalin e tij. Klement Beqaj i është përgjigjur me fyerje të rënda në sy të fëmijës dhe ish-bashkëshortes, e pas fyerjeve ka nxjerrë armën duke e qëlluar.
Ish-bashkëshortja, jo vetëm që nuk ka ndërhyrë për të qetësuar konfliktin, por ka marrë të dashurin e saj dhe janë larguar në drejtim të Patosit, ku edhe është gjetur automjeti i braktisur. (A2 Televizion)