Misteri në Astir, shpallen në kërkim 5 persona, vajza: U frikësova se kishin armë

Nga Xhensila Kodra
10 Janar 2025, 15:08 | Kronikë

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim 5 persona të cilët ndodheshin në të njëjtën banesë në Astir, me vajzën që telefonoi forcat e rendit se po ndiheshe e frikësuar prej tyre pasi kishin armë. Një prej të kërkuarve mësohet se është 26-vjeçari nga Tepelena, Joni Sadikaj.

Emri i tij u identifikua nga dëshmia e vajzës 21 vjeçare. E reja ka deklaruar para uniformave blu se nuk është dhunuar por ka shkuar vetë me dëshirë, ndryshe nga versioni i parë që dha kur telefonoi sallën operative. Sipas saj, është frikësuar në momentin që ka parë se një prej djemve kishte armë me vete. Vajza ka treguar më tej se me Sadikajn ishte njohur vetëm një ditë më parë në një lokal të zonës dhe ai i kishte kërkuar që të merrte disa shoqe të sajat për të kaluar natën bashkë, pasi kishte edhe disa shokë me vete. E reja ka dëshmuar më tej se kanë qëndruar në banesën e marrë me qira ditore gjatë gjithë natës duke konsumuar kokainë, transmeton A2 CNN.

Burime nga policia pohojnë se të shpallurit në kërkim janë persona me precedentë penalë. Joni Sadikaj, në vitin 2017 u arrestua në Kavajë bashkë me 4 persona të tjerë me akuzën e tentativës së trafikimit drejt Italisë së 1.3 tonë kanabis.

Ndërsa verën e vitit 2022 u prangos në Vlorë për armëmbajtje pa leje. Të mërkurës, telefonata e vajzës ngriti në këmbë policinë, ku forcat RENEA ndërhynë me litarë nga tarraca e pallatit për të hapur derën, pasi e reja nuk i përgjigjej thirrjes së tyre, si dhe negociatave të të atit që deklaronte se të bijën ia kishin rrëmbyer, raporton A2 CNN.

Në dy banesat e marra me qira, policia gjeti dy armë zjarri dhe mbetje kokaine, si dhe sendet personale të të shpallurve në kërkim. Ngjarja po hetohet për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”,  kryer në bashkëpunim.

Djemtë e kishin mbyllur vajzën në banesë, pasi e reja kishte nisur të bërtiste teksa ishte nën efektin e lëndës narkotike, si dhe nga frika e armës që kishte parë mbi tavolinë. Ndaj personave të shpallur në kërkim rëndon edhe akuza e armëmbajtjes pa leje, si dhe falsifikim dokumentesh, pasi një prej mjeteve të identifikimit dyshohet të ishte e falsifikuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos