Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Rrumbullaku kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp ku zbuluan detaje nga operacioni i koduar “Tempulli 2”.
Kreu i policisë, mes të tjerash, bëri me dije se operacioni ka nisur që në muajin dhjetor në të gjithë territorin e vendit, teksa në fund të tij janë arrestuar 273 persona të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
“Operacioni Tempulli 2 ka filluar në javën e parë të muajt dhjetor, dhe përgjatë kësaj kohë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në bashkëpunim të ngushte me Prokurorinë e Përgjithshme kanë iniciuar 66 hetime proaktive, për goditjen e anëtarëve të grupeve kriminale. Janë marrë 295 urdhra ndalimi dhe vendime arresti, si dhe 306 vendime kontrolli. Nga operacioni policia ka arritur te finalizoj arrestimin për 273 shtetas dhe janë sekuestruar një sërë provash materiale që dëshmojnë aktivitetin e tyre kriminal”, tha Rrumbullaku.
Sakaq, ministri Balla konfirmoi se gjatë operacionit u goditën 7 grupe kriminale, teksa u sekuestruan dhe armë pa leje.
“Gjatë këtij operacioni, kemi një numër të konsiderueshëm të armëve pa leje. Paketa e sigurisë së shkollave do të forcohet me ligj dhe çdo vepër që ndodh pranë shkollave, do të dënohet me ligj”, tha Balla. (A2 Televizion)