Një shtetas shqiptar është arrestuar në Korenë e Jugut dhe do të ekstradohet drejt Shqipërisë, ku është i dënuar për vrasje dhe plagosje, të kryera në vitin 1995. 50-vjeçari Ervin Shahini është vënë në pranga me qëllim ekstradimin.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit, Tiranë, e ka dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vjedhja me dhunë me pasojë vdekjen”, “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Historik i shkurtër i ngjarjeve kriminale:
Ky shtetas, në kohë të ndryshme të vitit 1995, duke përdorur armë të ftohta (thika), ka vrarë dhe plagosur shtetas që punonin taksistë.
Pasi i faturonte si taksi, për të shkuar në destinacionet e kërkuara, ky shtetas i godiste drejtuesit e automjeteve, me thikë, iu merrte automjetet dhe largohej nga vendi i ngjarjes. Të njëjtin mekanizëm ka përdorur në të gjitha ngjarjet, konkretisht:
- më datë 15.05.1995, në bashkëpunim me shtetasit A. M. dhe N. K., plagosi me thikë shtetasit P. B. dhe A. A.
- më datë 10.07.1995, plagosi me thikë shtetasin S.H.;
- më datë 27.08.1995, vrau shtetasin Xh. A.;
- më datë 27.10.1995, plagosi me thikë shtetasin I. I.;
Gjatë trazirave të muajit mars të vitit 1997, ky shtetas është arratisur dhe është larguar në mënyrë të kundërligjshme, jashtë Shqipërisë.
Drejtoria e Interpolit, që prej vitit 2015, ka shkëmbyer korrespondenca të shumëfishta me zyrat homologe dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese, me qëllim lokalizimin dhe më pas arrestimin provizor të këtij shtetasi, për ta ekstraduar në vendin tonë.
Së fundi, është siguruar informacion se ky shtetas strehohej në Republikën e Koresë.
Nga informacionet dhe verifikimet rezultoi se shtetasi Ervin Shahini përdorte identitetin e një shtetasi tjetër shqiptar, për t’iu shmangur arrestimit.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me Interpol Seulin, vijojnë punën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.
(A2 Televizion)