Kokainë nga Amerika Latine në Itali, arrestohen dy trafikantët në Shqipëri

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2024, 10:33 | Kronikë

Kokainë nga Amerika Latine në Itali, arrestohen dy trafikantët

Dy persona janë arrestuar në Shqipëri me qëllim ekstradimin drejt Italisë, në një operacion të përbashkët midis agjencive ligjzbatuese në Firence dhe autoriteteve shqiptare.

Juljan Kollçaku dhe Maksim Ndoci u ndaluan në kuadër të operacionit “BOCA DEH RIO” dhe akuzohen si pjesëtarë të grupeve kriminale të implikuara në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në Itali.

“U ekzekutuan vendimet e GJKKO-së, për arrestimin e përkohshëm, me qëllim ekstradimin në Itali, të shtetasve J. K., 34 vjeç, banues në Kavajë dhe M. N., 30 vjeç, banues në Pukë, të akuzuar nga Gjykata e Firences, për trafikim të lëndëve narkotike, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Nga hetimet e kryera në kuadër të planit operacional “BOCA DEH RIO”, dyshohet se këta shtetas, të organizuar si grup, gjatë periudhës 2018-2024, kanë trafikuar sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike Kokainë nga Amerika Latine dhe më pas e kanë shitur në qytetet Pisa, Firence, Livorno, Venecia dhe Romë. Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën, për ekstradimin në Itali, të 2 shtetasve të arrestuar”, informon policia.

Po ashtu janë kontrolluar nga policia ambiente të lidhura me 20 shtetas të tjerë, të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Nga kontrollet janë sekuestruar 20 000 euro, 52 ora të markave të ndryshme, 1 automjet, 7 celularë, kontrata noteriale dhe dokumente të tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos