Lejoi vëllain të ndërtonte pallatin 14-katësh, ish-kryebashkiaku i Pogradecit sërish nën akuzë

Nga Armand Bajrami
14 Tetor 2024, 18:35 | Kronikë

Pasi fitoi pafajësi në dy shkallë të Gjykatës së Posaçme pas dyshimeve për abuzime me një tender, ish-kryebashkiaku i Pogradeci, Eduart Kapri, ka nisur hesape të tjera me drejtësisë.

Ai është marre i pandehur nga SPAK për “shpërdorim të detyrës” bashkë me dy ish-vartësit e tij, Besjan Meço, ish-juristi i bashkisë dhe Besmira Niko, ish-specialiste në bashki, raporton A2.

Sipas SPAK, ish-kryebashkiaku i Pogradecit, në bashkëpunim me dy zyrtarët e tjerë ka lejuar kryerjen e punimeve të paligjshme në një pallat 14-katësh në këtë qytet, shkruan A2.

Nga hetimi ka rezultuar se leja e ndërtimit ishte dhënë në vitin 2009, një shoqërie që kishte si administrator Eduart Kaprin.

Më vonë punimet ishin pezulluar për mosrespektim të afatit të lejes së ndërtimit, por në vitin 2016 kryebashkiaku Kapri ka lejuar përfundimin e punimeve, në një kohë që shoqëria ndërtuese administrohej nga vëllai i tij dhe çështja ishte objekt në një gjykim në Administrative, përcjell A2.

Sipas SPAK, ish-kryebashkiaku i ka dhënë përfitime të padrejta shoqërisë, pasi ndërtimi është shtuar me dy kate dhe se është bërë në konflikt të hapur interesi.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos