Një efektiv i policisë kufitare në doganën e Hanit të Hotit është ndaluar nga agjentët e AMP-së, pasi akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në këmbim të ryshfetit.
Dyshohet se efektivi nuk ka marrë masat e duhura për të ndaluar një shtetas malazez, i cili gjatë verifikimit nga pika e kontrollit rezultonte i shpallur në kërkim nga Interpol, shkruan A2.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër – Lezhë), ka ekzekutuar urdhrin e ndalimit të punonjësit të policisë Inspektor P.Q., me detyrë Kontrollor pranë Pikës së Kalimit Kufitar Hani i Hotit, i dyshuar për veprat penale 'Shpërdorim i detyrës' dhe 'Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’”, thuhet në njoftimin e AMP.
Agjencia po vijon sakaq hetimet për zbardhjen e plotë dhe përfshirjen e mundshme të punonjësve të tjerë të policisë në këtë ngjarje, raporton A2. (A2 Televizion)