Një 20 vjeçar shqiptar i kapur në një “shtëpi bari” në Peterborough të Britanisë së Madhe e ka përjetuar në mënyrën më të keqe të mundshme, momentin kur në banesën e tij mësynë forcat e policisë.
I shokuar dhe gati në lot, Marisol Bezati u ka kërkuar “falje” efektivëve, teksa këta të fundit bastisën fermën, ku rritej kanabis me vlerë 173,000 paund.
Në videon e filmuar nga kamerat e trupit të policëve, 20-vjeçari shqiptar shihet duke u strukur në një divan të dhomës së ndenjjes, ndërsa oficerët bërtasin 'Policia!'.
Efektivët më pas i vendosin prangat dhe i komunikojnë masën e arrestit, ndërsa i riu i tronditur mërmërit vazhdimisht ‘Më fal’.
Në vijim, videoja tregon 206 bimët e kultivuara në dhomat e ndodhura në katin e dytë të shtëpisë dhe në papafingo.
Sakaq, Bezati u paraqit në Gjykatën e Kurorës së Peterborough të premten e 27 tetorit, ku gjyqtari vendosi ta dënojë me 18 muaj burg, pasi më parë ai kishte pranuar akuzën për prodhimin e kanabisit dhe vjedhjen e energjisë elektrike. (A2 Televizion)