“Më goditi ai i pari, thikën e kishte ai”, dëshmia e autorit të vrasjes së 15-vjeçarit në Shkodër. Psikologia tregon shkaqet

Nga A2 CNN
15 Tetor 2024, 16:48 | Kronikë

Autori i vrasjes së 15-vjeçarit në Shkodër mbrëmjen e djeshme, ka deklaruar në Polici se ka qenë 15-vjeçari Emiljano Gjoni ai që e ka goditur i pari me thikë. Më pas Klodian Kolbuçi, thikën që ka rënë përtokë e ka marrë dhe e ka goditur dhe sipas tij nuk ka patur qëllim për ta vrarë por në tentativë vetëmbrojtjeje. Kështu u shpreh për Ditarin në A2 CNN gazetari Senad Nikshiqi, sipas të cilit të dy të miturit mësonin në shkollën e mesme profesionale “Hamdi Bushati”.

Për psikologen Antonjeta Pero shkak kryesor i konflikteve që çojnë në vrasje mes të rinjve është mungesa e dashurisë. Në një lidhje me Ditarin e Bruna Çifligut në A2 CNN, psikologia theksoi se mungesën e dashurisë e ka konstatuar prej vitesh dhe për këtë fajëson prindërit dhe strukturat arsimore.

“Është ngjarje e paprecedentë, por unë konstatoj prej vitesh që punoj që tek ne mungon dashuria, që duhet konceptuar që në gjenezë nga prindërit, personeli i arsimit. Po pak e kemi këtë nocion dhe ky është rezultati; mungesa e dashurisë. Të jesh 15 vjeç dhe të pajisesh me thikë për të vrarë shokun ka shumë të meta”, tha Pero në A2.

Një tjetër shkak sipas saj është mungesa e angazhimit për kapacitetin që kanë të rinjtë, si në sporte e arte, të cilët aktualisht kryhen vetëm me pagesë.

“Të rinjtë kanë më shumë kapacitete sesa angazhim shteti nuk mundet t’i angazhojë në çdo moment të lirë, as familja. Mungesa e angazhimit për sasinë e kapacitetit që kanë i sjell ato ku dikush i shfrytëzon ose njëri tjetrin. Shteti duhet të angazhojë strukturat e veta që këta njerëz të shkojnë në sport e arte dhe diferencat përbëjnë këtë gjë të pandreqshme për ne. Strukturat shtetërore nuk kanë. Dikur angazhoheshin kurse sot duhet të paguajë që të shkojë diku dhe ky kapacitet që kanë dhe nuk e demonstrojnë e bëjnë që të jenë nervozë. Jam e bindur se fakti se përse kanë shkuar në këtë gradë është jashtë moshës së tyre ata duhet të bëjnë jetën e moshës së vet”, u shpreh psikologia për A2.

Rrjetet sociale, përdorimi i celularit dhe mungesa e komunikimit janë gjithashtu shkak për konflikte, thekson psikologia.

“Rrjetet sociale patjetër që ndikojnë shumë se këta gjithë ditën janë me telefon në dorë dhe janë të gatshëm të konfliktohen dhe pasojat nuk i mendojë më gjatë as për veten, as familjen se nuk kanë kapacitete për të menaxhuar forcat që kanë. Këta nuk e zhvillojnë konfliktin në shkollë po jashtë saj. Psikologu është në çdo shkollë, por ata duan vetë t’i zhvillojnë këto konflikte. Është ndërprerë komunikimi mes shokëve”.

E pyetur nëse adoleshentët dhe të rinjtë i drejtohen psikologut për problemet e tyre, psikologia shprehet për A2 se psikologu duhet të jetë i besueshëm.

“Te psikologu shkojnë kur psikologu u jep mundësi në klasë që fjala e tij është sekret. Nëse ka kapacitetin që të jetë i besueshëm dhe fëmija shkon me dëshirë dhe tregon gjithçka ka. Ka raste kur ka shpëtuar jetë, por psikologu duhet të i besueshëm”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos