Një 59-vjeçar në Mat ka rënë në prangat e Policisë, pasi iu gjet në banesën e tij një armë zjarri tip kallashnikov dhe qindra fishekë luftarakë.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se operacioni u zhvillua pas marrjes së informacionit në rrugë operative nga ana e bluve.
Po ashtu, Policia njofton se arma dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".
Njoftimi i Policisë:
Mat/Kontrolle intensive, bazuar në inteligjencën policore, për parandalimin dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Mat, operacioni policor i koduar "Burgajeti".
Sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov dhe qindra fishekë luftarak.
Vihet në pranga poseduesi i tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, se një shtetas mbante armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Burgajeti".
Si rezultat i operacionit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Rr. M., 59 vjeç, banues në fshatin Burgajet, pasi shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në banesën e tij, një armë zjarri kallashnikov dhe 813 fishekë luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit". (A2 Televizion)