Mit'hat Havari, ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se ka pasur raste që policia ka bashkëpunuar me krimin.
“Kanë ndodhur raste që ne i dimë, që kanë bashkëpunuar me krimin dhe i kanë hedhur shokët e tyre në gojë të krimit. Ajo më ka ndodhur dhe mua, më ka ndodhur nga kryeministra që jam hedhur në botën e krimit për interesat e tyre, por shumë e rëndë kur ty të tradhëton kolegu që ti punon dhe mund të vritesh dhe të çojnë pastaj te familja në arkivol. Kështu që, duhet një shkundje totale", deklaroi Havari.
Ai tregoi edhe si do ta "shkundte" sot Policinë.
"Unë do ta bëja këtë shkundje duke i kërkuar qeverisë shqiptare që rrogat e tyre të rriteshin, të kenë një stimul, sepse nuk u del rroga për të ushqyer fëmijët e tyre. Shoh uniformën e tyre skandaloze, të turpshme. Kanë kaluar 30 vjet me tenderat që i bëjnë ata, ku di unë ku i bëjnë. Nuk u vesh kjo polici me rroba europiane. Sa kushtojnë? Miliona që vjedhin ministra e zëvendësministra... Vazhdojnë policët rrugëve, nëpër pluhura i sheh. Të kujtosh tani 25 vjet më parë kur kam drejtuar unë në Policinë e Tiranës nuk është gjë e mirë. Unë vij nga një shtresë tjetër, kundërshtar i regjimit të kaluar dhe ëndërrova për demokraci me dinjitet. Mund t'ju them me një shifër përafërsisht: 90% e Policisë së Shtetit është e majtë sepse të djathtët kanë ikur, nuk i fusin fëmijët nëpër polici për shkak të kaluarës së tyre të errët, por kjo gjë duhet rregulluar. Të mos bëjnë nga ato diferencimet që i di unë se si i bëjnë, që i marrin aty pastaj i spostojnë, i seleksionojnë edhe janë ushtarët e partisë që merren me zgjedhjet e pushtetit vendor, me zgjedhjet e përgjithshme... I përdorin dhe pastaj nuk e kanë për gjë t’i hedhin rrugëve. Përderisa policia nuk ka dinjitet, nuk është e mbrojtur, nuk ka status", shtoi Havari. (A2 Televizion)