Thashethemet se 70-vjeçari në Borsh kishte shitur një sipërfaqe toke bënë që në banesë t’i mësynin grabitësit natën e 12 korrikut.
Ngjarja ndodhi në fshatin Borsh të Vlorës. Burimet thanë për A2CNN se ishin tre të rinj, pasi kishin dëgjuar për transaksionin financiar, kishin mbajtur në mbikqyrje për të paktën dy ditë banesën e të moshuarit. Pasi kanë konstatuar se aty nuk banonin persona të tjerë, u futën natën në banesë ku e mbajtën me dhunë dhe nën kërcënimin e një arme i kërkonin paratë.
Këmbëngulja u pasua me kontrolle në banesë, por ku nuk gjetën paratë që hamendësonin se ishin krijuar nga shitja. Pasi është lënë i lire, i moshuari që jetonte i vetëm ka bërë kallëzim në polici.
Brenda pak orësh u arrit të identifikoheshin të rinjtë. Pas ndalimit të tyre, blutë konstatuan se arma që përdornin ishte pistoletë lodër, por iu sekuestrua dhe makina tip Mercedez Benz me të cilin kishin udhëtuar drejt objektivit dhe që e kishin marrë me qira.
Në pranga ranë E.Xhemali 25 vjeç, K.Truja 23 vjeç dhe A.Cani 19 vjeç. Ky i fundit u konstatua se kishte thyer edhe masën e arrestit në shtëpi të marrë nën akuzën e krimeve në fushën e narkotikëve. (A2 Televizion)