Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 16 vite burg për 15-vjeçarin Mario Përlleshaj, autor i vrasjes së bashkëmoshatarit të tij Martin Cani.
Në seancën e kësaj të mërkure, trupa rrëzoi ankimimin e mbrojtjes, duke konfirmuar përgjegjësinë penale të të miturit. Vendimi i Apelit e bën të formës së prerë dënimin, shkruan A2.
Ngjarja që tronditi opinionin publik ndodhi më 18 nëntor të vitit 2024 në Tiranë, në afërsi të shkollës “Fan Noli” gjatë një konflikti fizik, ku Përlleshaj goditi me mjet prerës 14-vjeçarin Martin Cani. Shkak u bë një konflikt i lindur mes dy adoleshentëve brenda shkollës, për motive të dobëta.
Nxënësit u takuan paradite në tualetet e shkollës, ku nisi konflikti, por u ndanë nga roja i sigurisë. Kur përfunduan mësimin, së bashku me shokët e tyre u takuan në një shesh pallati pranë shkollës, ku nisi sherri që përfundoi me vrasjen e Martin Canit dhe plagosjen e shokut të tij Luis Meçe.
Pas ngjarjes, autori Mario Përlleshaj e hodhi çantën me thikën në një ndërtesë të vjetër në “Rrugën e Elbasanit”, e cila u gjet disa ditë më vonë nga policia dhe ekspertiza zbuloi se nga ajo thikë ishin goditur Martin Cani dhe shoku i tij Luis Meçe.
Në dhjetor të vitit 2025, autori i mitur Mario Përlleshaj u shpall fajtor nga Gjykata e Shkallës së Parë për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj Martin Canit dhe “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë” ndaj një të mituri tjetër, Luis Meçe, i cili mbeti i plagosur. (A2 Televizion)