Shtatë pedagogët e degës cikli i ulët pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan janë ndaluar nga sektori kundër krimit ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë së këtij qarku. Ndalimi është bërë pas një hetimi të kryer edhe nga Prokuroria e Elbasanit, e cila dyshon se pedagogët kanë kryer veprën penale të korrupsionit pasiv.
Sipas të dhënave paraprake, shtatë pedagogët e shoqëruar dyshohen se kanë marrë para nga studentët që kishin provime të mbartura në vjeshtë në lëndët që jepnin këta pedagogë.
Në momentin e shoqërimit, oficerë të policisë gjyqësore kanë kryer kontrolle edhe në ambientet e fakultetit ku ata jepnin mësim.
Përveç pedagogëve, policia njofton se ka nën hetim edhe një tjetër person të dyshuar si ura lidhëse mes pedagogëve dhe studentëve. Ende nuk është përcaktuar nëse pedagogët do të mbahen të ndaluar në polici; gjykata do të vendosë nëse do të hetohen nën masa shtrënguese sigurie apo do të lirohen për t’u hetuar në gjendje të lirë. (A2 Televizion)