
Ka ndërruar jetë pas 4 ditësh në spitalin e Traumës punonjësi i AMP-së Mustafa Sheqeri alias Muç Shaljani.
Ai mbeti i plagosur rëndë në atentatin e Rinasit më 11 nëntor, ku u ekzekutua me breshëri plumbash Gilmando Dani, i besuari i Emiljano Shullazit.
Burime nga spitali bëjnë të ditur për A2 CNN se i plagosuri i Rinasit ka ndërruar jetë në orën 3 të mëngjesit.
Atentati ndodhi mesditën e së martës, kur Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, i shoqëruar nga Mustafaa Sheqeri u qëlluan me breshëri plumbash kallashnikovi sapo dolën nga rrethimi i aeroportit të Rinasit.
Tre persona të armatosur dolën nga makina tip "Toyota" dhe qëlluan me breshëri plumbash drejt makinës tip “Mercedez Benz” të bardhë ku udhëtonte Dani dhe Sheqeri dhe që drejtohej nga ky i fundit.
A2 CNN raporton se Sheqeri në shtator ishte bërë pjesë e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore si agjent.
Burime për A2CNN bëjnë me dije se policia ka dyshime të forta se autorët nuk kanë vepruar vetëm me një mjet, por me të paktën dy ose më shumë automjete të organizuara në role të ndryshme.
Sipas informacioneve të siguruara, Policia e Tiranës po verifikon intensivisht një sërë automjetesh që janë kapur nga kamerat e sigurisë në disa pika kyçe, te rrethi i Rinasit, në parkingun e aeroportit, përgjatë perimetrit ku ndodhi atentati, si edhe në rrugët hyrëse dhe dalëse shumë pranë aeroportit. Në duart e grupit hetimor ndodhen tani qindra orë filmime nga kamerat e sigurisë, të cilat po analizohen një e nga një. (A2 Televizion)