Nis transportimi i kontejnerëve me mbetje të rrezikshme nga porti i Durrësit drejt Porto Romanos

Nga A2 CNN
8 Nëntor 2024, 12:33 | Kronikë

Pas më shumë se 10 ditësh qëndrim në radën portuale të Portit të Durrësit, anija me flamur turk “Moliva” ditën e sotme është akostuar në terminalin e portit dhe në orët e mesditës ka nisur procesi i shkarkimit të kontejnerëve, 102 prej të cilëve dyshohet se kanë mbetje të rrezikshme.

Autoritetet detare, ato portuale dhe ligjzbatuese janë bërë të gjitha bashkë pjesë e procesit të shkarkimit dhe transportimit të kontejnerëve në vendin specifik të krijuar në zonën e Porto Romanos, shkruan A2 CNN.

Policia dhe Prokuroria e Durrësit kanë monitoruar shkarkimin e kontejnerëve nga anija në fjalë, ndërsa është bërë verifikimi i të gjithë elementëve të sigurisë brenda territorit të portit dhe më pas ka nisur transportimi i tyre.

Zona në Porto Romano është identifikuar nga strukturat ligjzbatuese në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Konfiskuara, ndërsa autoritetet do ta mbajnë në monitorim të gjithë procesin deri në identifikimin në laborator të produktit brenda kontejnerëve për të parë nëse janë mbetje të rrezikshme, përcjell A2 CNN.

Transporti i kontejnerëve po bëhet me mjete të veçanta me qëllim vendosjen e tyre në Porto Romano, ku do të mbahen në monitorim 24/24 nga Policia e Shtetit.

Procesi do të finalizohet me marrjen e kampioneve brenda kontejnerëve dhe do të kryhen analizat në laboratorin përkatës për të hedhur dritë se me çfarë mbetjesh kemi të bëjmë, duke parë se opozita ka hedhur akuza se anija ka transportuar mbetje toksike.

Vendimi për sekuestro nga Prokuroria e Durrësit është aktualisht duke u vënë në zbatim dhe i hap rrugën hetimeve të mëtejshme në rast se kemi të bëjmë me mbetje të rrezikshme apo jo.

Alarmi për transportin e mbetjeve toksike, ndezi sot debatin mes opozitës dhe qeverisë, ndërsa një grup aktivistësh të shoqërisë civile me mbështetjen edhe të Partisë Demokratike protestuan më 27 tetor kundër rikthimit të lëndëve toksike në Portin e Durrësit, transmeton A2 CNN.

Prokuroria e Durrësit nisi në 21 gusht hetimet mbi çështjen e transportit të dhjetëra kontejnerëve me mbetje të rrezikshme që dyshohet se kanë dalë nga territori shqiptar drejt Tajlandë.

Kujtojmë se 2 anije me mbetje ishin nisur në prill dhe korrik drejt Tajlandës dhe Kinës, por ato u kthyen pas ngritjes së alarmit nga organizatat ndërkombëtare, se në to ndodheshin mbetje të rrezikshme dhe po bëhej eksport i paligjshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos