Policia e Shtetit ka njoftuar se është ekstraduar nga Spanja shtetasi Leonard Luzi alias Leonard Sejno, 47-vjeç.
Bëhet me dije se ky person kishte organizuar dhe porositur shtetasin Amarildo Nikolli për të vrarë Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, ngjarje kjo e mbetur në tentativë pasi ekzekutori u arrestua në flagrance nga policia para se të kryente vrasjen, shkruan A2 CNN.
Për atentatin ndaj Hajrullës, tre persona kanë rënë në pranga, Muharem Koroveshi, Amarildo Nikolli dhe Leonard Luzi që u kap më 18 korrik në Spanjë dhe u ekstradua sot.
Ekstradohet nga Spanja, shtetasi L. L. alias L. S., i cili akuzohet nga GjKKO-ja se organizoi vrasjen e 2 shtetasve në Vlorë (krim i parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së Policisë).
Shtetasi L. L. alias L. S., u arrestua në Spanjë, gjatë operacionit të koduar “Rekrutuesi”.
Si rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Spanjës, në zbatim të marrëveshjes së ekstradimit, u ekstradua nga Spanja, shtetasi L. L. alias L. S., 47 vjeç, i lindur në Vlorë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
47-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal, kishte organizuar vrasjen e shtetasve E. M. dhe I. H.
Ky krim u parandalua nga Policia, pasi shtetasi A.N, u arrestua para se të kryente vrasjet.
Shtetasit A. N., në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje. (A2 Televizion)