Plagosja e 24-vjeçarit në derë të shtëpisë në Durrës, policia zbardh ngjarjen: Autor kushëriri i tij, shkak një konflikt i çastit

Nga A2 CNN
22 Maj 2024, 09:04 | Kronikë
Plagosja e 24-vjeçarit në derë të shtëpisë
Foto ilustruese

Policia e Shtetit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur, mbrëmjen e së martës (21 Maj), në fshatin Shënavlash të Durrësit, ku një 24-vjeçar u qëllua me armë zjarri në këmbë. Autor i dyshuar i ngjarjes dyshohet se është kushëriri i 24-vjeçarit dhe ngjarja ka ndodhur në oborrin e banesës së të plagosurit.

Nga hetimet ka rezultuar se i riu me iniciale E.B., u qëllua me armë zjarri nga djali i xhaxhait të tij, 33-vjeçari me iniciale I. B., gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta. I plagosuri, i cili mori plumb në këmbë ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, ndërsa kushëriri i tij është shpallur në kërkim.

Njoftimi i policisë:

Durrës/ Falë reagimit në kohë dhe veprimeve profesionale në vendngjarje, Policia zbardh ngjarjen e ndodhur mbrëmë, në fshatin Shënavlash, ku u plagos me armë zjarri, në këmbë, 24-vjeçari E. B. Si rezultat i veprimeve hetimore, identifikohet autori i dyshuar i plagosjes (kushëriri i 24-vjeçarit).

Mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në Spitalin Rajonal Durrës ishte paraqitur për të marrë mjekim, shtetasi E. B., 24 vjeç, pasi ishte plagosur me armë zjarri, në këmbë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda të DVP Durrës, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, në oborrin e banesës së 24-vjeçarit, në fshatin Shënavlash, ku në drejtimin e prokurorit, kryen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e autorit.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se autori i dyshuar është shtetasi I. B., 33 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, i cili gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, djalin e xhaxhait të tij, shtetasin E. B., i cili vijon të jetë në spital, në kujdesin e mjekëve. Vijon puna për kapjen e shtetasit I. B.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi