Tragjedia e shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku humbi jetën nxënësi 14-vjeçar Martin Cani, për pak u përsërit mëngjesin e kësaj të premte në ambientet e shkollës se mesme “Mustafa Hoxha” në Cakran të Fierit. E njëjta dinamikë, të njëjtat arsye të konfliktit dhe sërish nxënës që vijnë në shkollë me armë të ftohta. Vetëm fati është treguar më bujar me nxënësin 17-vjeçar të shkollës së mesme të Cakranit, i cili i shpëtoi goditjeve me thikë nga bashkëmoshatari i tij.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur brenda ambienteve të shkollës, ndërsa i plagosuri kishte marrë katër goditje me thikë ç’ka tregon agresivitetin e sulmit të autorit të kësaj ngjarje, e cila fatmirësisht nuk u kthye në një tjetër tragjedi në shkollat e vendit.
Policia ka shoqëruar autorin e kësaj plagosje dhe nga të dhënat e para dyshohet se autori dhe i plagosuri janë konfliktuar sapo janë parë në oborrin e shkollës, për shkak të një debati të nisur një natë më parë për postimet në rrjetet sociale.
Ndërsa autori me paramendim kishte marrë me vete edhe thikën për të ndëshkuar bashkëmoshatarin e tij. Sakaq policia e Vlorës ka arritur të parandalojë ndoshta një tjetër ngjarje të rëndë me implikimin e minorenëve, pasi gjeti një pistoletë dhe 130 fishekë që ishin fshehur nga një 14-vjecar. Fatmirësisht ka qenë vetë babai i minorenit që ka denoncuar këtë rast pasi kishte parë një video ku shfaqej edhe pistoleta, për të cilën i biri i kishte thënë që ishte lodër. (A2 Televizion)