Seancë maratonë në Durrës, mbeten në burg 35 të arrestuarit e operacionit “Tempulli”

Nga Elitjona Doko
25 Janar 2024, 21:59 | Kronikë

Seancë maratonë në Durrës, mbeten në burg 35 të

Në përfundim të një seance maratonë në gjykatën e Durrësit, janë caktuar masat e sigurisë për 43 nga të arrestuarit e operacionit “Tempulli”, për goditjen e shpërndarësve të lëndëve narkotike.

Gjyqtarja Besjana Garxenaj ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për 35 prej të arrestuarve, “Arrest në shtëpi” për njërin prej tyre dhe 7 të tjerë, mes të cilëve dhe një grua, u lanë të lirë me masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”.

Në kuadër të këtij operacioni të zhvilluar me datë 22 janar u sekuestruan 1.2 kg kokainë, 360 doza heroinë, 8 kg kanabis sativa dhe 500 doza, një sasi e konsiderueshme lekësh dhe eurosh, armë zjarri, 23 automjete etj.

Ndërkohë të tjerë të arrestuar në kuadër të këtij megaoperacioni policor pritet të dalin para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë në ditët në vijim.

Për goditjen e këtij grupi masiv të shpërndarësve të drogës në territorin e Durrësit janë përdorur metoda speciale të hetimit, kryesisht metoda e blerjes së stimuluar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos