Policia e Spanjës tha se ka arrestuar anëtarët e një bande hajdutësh të përbërë nga ish-ushtarakë nga Europa Lindore, kreu i së cilës ishte shqiptar.
Ata akuzohen se kanë grabitur shtëpi luksoze në zonën e Malagës.
Gjashtë persona u arrestuan të mërkurën ndërsa policia sekuestroi armë, bizhuteri, ora dhe para. Sipas autoriteteve spanjolle, banda është përgjegjëse për 71 grabitje.
Policia tha se ata ishin të gjithë tepër të “kualifikuar” për këtë lloj aktiviteti. “Me njohuritë që kishin mbi teknikat ushtarake, ata kanë mundur të shmangin çdo masë sigurie. Ata ishin gjithashtu të stërvitur për t’u futur nëpër banesa pa u diktuar me shpejtësi dhe saktësi”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e përshkroi shqiptarin që kryesonte bandën si një njeri ekspert për kundërzbulim. Gjithashtu ai akuzohet se ka marrë gjithmonë pjesë në grabitje dhe ishte gjithmonë i armatosur.
Sipas policisë, në të paktën katër grabitje është përdorur dhunë. Ata u diktuan dhe u kapën me ndihmën e një biznesmeni vendas. Kombësitë e pesë personave të tjerë nuk janë bërë ende publike. (A2 Televizion)