Përparim Hoxha, kancelari i Prokurorisë së Vlorës dhe Frida Gani, kancelare e Gjykatës së Vlorës, ishin dëshmitarët e radhës në procesin gjyqësor ndaj Alfred Belerit në Gjykatën e Posaçme. Dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja në proces, u pyetën në lidhje me protokollimin e kërkesave për përgjime.
Dëshmitari Hoxha tha se regjistrin e përgjimeve e mbante zv.drejtuesi i Prokurorisë dhe se veç tij nuk kishte akses njeri tjetër.
“Unë nuk kam akses as te protokolli as te regjistrimi i çështjeve. Këtë funksion e kryen kryesekretarja, e cila herë pas here ndihmohet edhe nga persona të tjerë, për shkak të volumit të punës. Nuk ka në prokurorin e Vlorës, një punonjës specifik për protokollin”, tha ai.
Ndërsa dëshmitarja Gani tha se dosjet sekrete mbërrijnë me zarf të mbyllur në gjykatë.
"Pasi protokollohen, ato i dërgohen po në zarf të mbyllur gjyqtarit", tha dëshmitarja Frida Gani.
Kancelarja shtoi gjithashtu se, nuk ka dijeni që për veprime të ngutshme administrata ka dalë ose jo në punë jashtë orarit zyrtar. (A2 Televizion)