
Policia ka prangosur një person për shpërthimin me tritol në një sipërfaqe toke në fshatin Balldren i Vjetër, ngjarje e ndodhur një ditë më parë. I arrestuari shtë shtetasi A. A., 55 vjeç, banues në Tiranë. Ndërkaq vijon puna për kapen e bashkëpunëtorit të tij E. Z., 35 vjeç, banues në Krujë.
“Vijojnë hetimet dhe veprimet operacionale, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të ngjarjes së ndodhur dje, në fshatin Balldren i Vjetër. Vihet në pranga njëri nga autorët e shpërthimit të lëndës plasëse. Identifikohet dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij. Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga grupi i posaçëm nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes së datës 10.06.2026, në fshatin Balldren i Vjetër, ku në një sipërfaqe toke shpërtheu një sasi e lëndës plasëse (pa shkaktuar dëme), specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. A., 55 vjeç, banues në Tiranë. Po në vijim të veprimeve u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit E. Z., 35 vjeç, banues në Krujë dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij. Ndërkohë, vijon hetimi për të sqaruar dhe dokumentuar motivin e kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)