Gjykata e Posaçme shtyu për më 21 maj seancën e radhës për informacionin 2-mujor të SPAK për hetimin ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezin.
Avokatët i kanë kërkuar gjyqtares Irena Gjoka të heqë dorë nga procesi, duke i paraqitur edhe një kopje të njehsuar të vendimit të Gjykatës se Athinës të vitit 2004 për ndalimin e saj në zonën Shengen për 10 vite, si edhe gazetën greke "Protothema" që e ka publikuar.
Avokatët e Malltezit kanë kërkuar revokim të masës "arrest në shtëpi" për klientin e tyre.
“Kemi ardhur në dijeni përmes shtypit grek për vendimin e Gjykatës së Athinës që pohon ndalimin e gjyqtares që të hyjë në zonën Shengen për 10 vite. Kjo nuk është deklaruar në formularin e deklarimit. Ne kemi kërkuar që gjyqtarja Irena Gjoka të largohet nga kjo çështje. Ne do të bëjmë kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Gjoka. Gazeta Prototema parashtron faktin që Gjoka ka qenë e dëbuar nga Greqia. Gjoka as ka mohuar dhe as ka pranuar akuzën. Gjykata greke pranon ndalimin e gjyqtares. Ne pretendojmë njëanshmëri nga gjyqtarja Irena Gjoka. Nuk ka arsye që të mbahet në këmbë ndonjë masë për Berishën”, tha avokati Gjokutaj.
Gjykata nga ana e saj ka shtyrë seancën për t'i dhënë kohë avokatëve të Berishës për parashtrimet e tyre. Që prej izolimit të tyre në shtëpi Sali Berisha e Jamarbër Malltezi kanë kërkuar zëvendësimin dhe shfuqizimin e kësaj mase në të tre shkallët e gjykimit, beteja që kanë rezultuar të dështuara. (A2 Televizion)