Skandali me mikrokreditë, "avullojnë" dosjet e mbi 17 mijë qytetarëve në borxh me bankën

Nga A2 CNN
24 Maj 2024, 16:51 | Kronikë

Dosjet përmbarimore të mbi 17 mijë qytetarëve, që kanë prekur ose vazhdojnë të rëndojnë direkt mbi pasuritë e tyre kanë “avulluar”.

Shifra e debitorëve pa dosje, por ende me barra financiare, ka dalë në dritë nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës ndaj dy institucioneve financiare jobankare dhe përmbaruesve të akuzuar për përfshirje në një skemë vjedhje masive të qytetarëve debitorë në mikro-kredi.

Sipas hetimit, përmbaruesit e shoqërive përmbarimore, të kallëzuar nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020, të cilëve një vit me herë t’iu ishte hequr licenca e profesionit, nuk kanë dorëzuar dosjet me aktet përmbarimore.

Sipas ligjit, në momentin që nuk ushtrojnë më profesionin përmbaruesit duhet të dorëzojnë gjithë dokumentacionin arkivor në Ministrisë e Drejtësisë. Ky veprim jo vetëm që nuk është bërë sipas ligjit nga shoqëritë përmbarimore të prekura nga hetimi, por mijëra dosje janë braktisur prej tyre në ministri dhe jo protokolluar.

Të tilla, sipas hetimit,  janë episodet e 14 dhe 16 tetorit 2019 kur në hollin e Ministrisë së Drejtësisë, janë braktisur nga një person, i identifikuar me pas, 104 thasë me dokumente përmbarimore.

Nga një inventarizimi bërë në këto dokumente nga një grup pune e ministrisë kanë rezultuar se ishin akte që i përkisnin 5800 çështjeve përmbarimore. Më pas, përmes një kryqëzimi të bërë nga hetimi mes të dhënave nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe gjykatat, por edhe banka të nivelit të dytë janë evidentuar të paktën 4944 dosje përmbarimore të padorëzuara nga përmbaruesit pa licencë.

Sipas prokurorisë së Tiranës, në total, janë mbi 5700 dosje të padorëzuara me akte-aktive përmbarimore, që kanë prekur dhe vijojnë të rëndojnë direkt mbi interesat pasurore të shtetasve ne një numër palësh të përfshira me mbi 17 mijë individë.

Gjatës së premtes, Gjykata e Tiranës konfirmoi masat e sigurisë “arrest në burg” për tre nga të akuzuarit dhe atë të “arrestit në shtëpi” për pesë të tjerët, të akuzuar për “vjedhje” dhe “shpërdorim të detyrës”. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos