Dy javë pasi u referua në SPAK për spërkatjen e parlamentit me një lëng, që sipas Policisë së Shtetit, mund të ishte helmues, deputetja e PD, Elda Hoti u paraqit në Strukturën e Posaçme.
Për gati 30 minuta ajo dha shpjegime para prokurorëve në cilësinë e personit që ka dijeni.
“Pse nuk thërret SPAK Frida Krifcën që ka vjedhur fondet nga BE, Ogerta Manastirliun për koncesionet në shëndetësi. Për këto duhet të shqetësohet SPAK. Aferat korruptive që kanë bërë, për këtë duhet të shqetësohet SPAK. Deklarova atë çka deklarova, atë që thashë në parlamentin e Shqipërisë. Është e turpshme që shqiptarët të merren me atë, sot drejtësia duhet të shqetësohet se si banda dhe krimi bëjnë terror dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve të pafajshëm. Sot drejtësia duhet të shqetësohet se si bandat vendosin drejtorët e policisë”, tha Hoti pasi doli nga SPAK.
Më herët, para Kuvendit të Republikës, Ministri i Brendshëm dha detaje mbi fatin e shishes se deputetes, të sekuestruar tashmë dhe faktin që u prek nga disa anëtarë të kabinetit qeveritar, shkruan A2.
Për episodin parlamentar të 17 tetorit Elda Hoti u referua në SPAK për veprat penale të “kanosjes” dhe “shkeljes së rregullave mbi lëndët helmuese”. Ndërsa kolegët e saj Gazment Bardhi, Bledion Nallbati, Dashnor Sula, Luan Baçi e Saimir Korreshi u proceduan për “kundërshtim të punonjësit të policisë”.
(A2 Televizion)